Dalin detaje të reja për vrasjen e policit Izet Demaj

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurtmehaj ka zbuluar sot se për rastin e grabitjes së armatosur që ka ndodhur në Pejë, ku u vra polici Izet Demaj, deri tani është sekuestruar një automjet.

Prokuroria Themelore e Pejës ka mbajtur sot konferencën vjetore të vitit 2018, ku ka shpalosur planin edhe për vitin 2019 të punës së kësaj Prokurorie.

Për media, atje foli kryeprokurori Agim Kurtmehaj, i cili përmendi edhe rastin e vrasjes së policit Izet Demaj, që u vra në detyrë, derisa tentoi ta ndalonte plaçkitjen e armatosur të një banke në Pejë.

Dimë që i dyshuari gjithashtu ka vdekur në vendin e ngjarjes.

Kurmehaj, tha se tashmë dy të pandehur janë të cilët po dyshohen për ndihmë në kryerjen e veprës penale dhe gjithashtu konfirmoi se për këtë rast është sekuestruar një automjet, shkruan Gazeta Express.

Ai gjithashtu tha se tashmë është herët të flitet për hetime të mëtutjeshme të kësaj ngjarjeje, mirëpo potencoi se po pritet raporti i ekspertëve të balistikës dhe po punohet intensivisht në zbardhjen e këtij rasti.

Demaj u vra më 27 dhjetor nga një person i armatosur derisa po tentonte të kryente një grabitje të armatosur në bankë në Istog.

Me nderime të larta nga autoritetet e Kosovës, ai është varrosur në varrezat e dëshmorëve në Koshare.