Gjermania ia bën të qartë Serbisë: Pa e njohur pavarësinë e Kosovës nuk ka BE

Deputeti gjerman, Peter Beyer i ka bërë të qartë Beogradit se pa e njohur pavarësinë e Kosovës nuk ka BE.

Deputeti i Parlamentit Gjerman nga radhët e partisë së kancelares Angela Merkel, Peter Beyer, ka thënë se Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa e njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, shkruan Gazeta Express.

Këto deklarime deputeti gjerman i ka bërë në një intervistë për ‘tanjug’. Ai ka thënë për t’u normalizuar raportet ndërshtetërore, Serbia duhet të njohë ‘de jure’ pavarësinë e Republikës së Kosovës.

“Është e rëndësishme që të gjithë ta kuptojnë se që nga fillimi i procesit të dialogut ishte e qartë se nuk do të kishte normalizim të marrëdhënieve, pa një njohje de facto të integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Një gjë e tillë duhet të jetë e qartë”, ka thënë Beyer, duke treguar qëndrimin e Gjermanisë për zgjidhjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Beyer dje ka qëndruar edhe në Kosovë, dhe është takuar edhe me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin, të cilit ia ka përsëritur qëndrimin kundër të Gjermanisë për idenë e korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.