Haradinaj ka një lutje për të gjithë qytetarët e Kosovës

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, është duke e kryesuar Takimin e Nivelit të Lartë për Sundimin e Ligjit.

Haradinaj ka bërë të ditur se në takim ku janë të pranishëm udhëheqësit kryesor të institucioneve të rendit dhe ligjit temat kryesore janë rastet e shënjestruara dhe migracioni.

“Meqenëse këto dy tema si të këtilla janë me rëndësi, ne jemi mbledhur në takimin e radhës, që në finalen tonë të vendimit përfundimtar për liberalizimin e vizave, çështja e migrimit si një prej çështjeve kryesore që BE dëshiron të sigurohet, që nga Kosova nuk do të ketë migrim ndaj shteteve të BE-së”.

Sipas shefit të Qeverisë, shifrat e azilkërkueseve nga Kosova kanë shënuar rënie.

“Ne kemi bërë punë të mirë në stopimin e fluksit potencial dhe shifrat e azilkërkuesve kanë rënë drastikisht. Nga viti 2015 deri më sot kemi rënie të azilkërkuesve mbi 95 % por ne duhet të punojmë më shumë”.

“Bashkëqytetarët tanë duhet ta dinë se e ardhmja e tyre është në Kosovë dhe me Kosovën në BE”, ka deklaruar ai.