Haradinaj nuk lështon pe: Taksa hiqet kur Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se taksa 100 përqind për produktet nga Serbia dhe të Bosnjës e Hercegovinës nuk do të hiqen derisa këto dy vende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ai thotë se do të furnizojnë spitalet e komunitetit serb, me barna apo çkado që ka nevojë, dhe se sipas tij, qytetarët serb nuk janë të rrezikuar nga ky vendim

Në një konferencë të mbajtur pas takimit që kishte me ambasadorin e ri amerikan në Kosovës, Philip S. Kosnett dhe Komisionerit për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, Haradinaj deklaroi se ende ka shpresë së Kosova të jenë të rend dite në Këshillin e Ministrave të BE-së për liberalizmin e vizave.

Haradinaj:

“Në të njëjtën kohë janë shtuar kujdesi për spitalet, kishën ose në rastet e kërkesave që janë humanitare, donacione dhe një listë e tërë e produkteve është respektuar si në të kaluarën, por dhe tani. Nëse Qeveria e Kosovës ka informata se ka ndonjë krizë të ndonjë produkt vital, ne do të marrim veprime, jemi në gjendje t’i furnizojmë spitalet në veri të Mitrovicës apo ambulancat, nuk do të ju mungojnë ilaçet, as materialet tjera të nevojshme për të gjithë”, tha Haradinaj.

Kreu i ekzekutivit, gjithashtu theksoi se vendimi për do të largohet vetëm në rast të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Sipas tij kjo do të bëhet vetëm në një marrëveshje ku përfshihen, borxhet të zhdukurit dhe tregtia e lirë.

Haradinaj: Vendimi i Qeverisë për taksën do të respektohet

“Do të respektojmë vendimin e Qeverisë, dhe ky vendim sikur e dini, mund të anulohet me rastin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Ndoshta na duket shumë larg kjo, por ne do punojmë që tani për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, për borxhet, të zhdukurit, të drejtat e komunitetit serb në Kosovë e plotë tema tjera e një nga to do të jetë edhe tregtia e lirë mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Haradinaj.

Ndërsa, theksoi se taksa vlen vetëm për importin nga Serbia dhe Bosnja, dhe si e tillë do të respektohet.

Haradinaj foli edhe për takimin me komisionarin Johannes Hahn, meqë ky i fundit ka kërkuar që të hiqet taksa.

Ndërkohë tha se Bashkimi Evropian nuk po jep garanci që liberalizimi për Kosovën do të jetë në rend dite në takimin e Këshillit të Ministrave këtë muaj.

Haradinaj: Nga BE-ja është një skepticizëm, ata japin shumë arsyetime

“Ne kemi mbajtur shpresë dhe ende mbajmë shpresë se Kosova do të hyjë në agjendën e Këshillit të Ministrave. Sido që të jetë nga BE-ja është një skepticizëm, ata japin shumë arsyetime, prej atyre që kjo është e logjikshme, se thonë se me Ukrainë e Gjeorgjinë ka zgjatur një vit e gjysmë periudha kohore mes Komisionit dhe vendimit. Nuk përjashtohet që në një të ardhme të afërt, sepse Këshilli mblidhet çdo tre muaj, mirëpo nuk na japin një garanci se do të ndodh kësaj here”, deklaroi Haradinaj.

Shefi i ekzekutivit, ndër të tjera shtoi se nëse dikush mendon që duke e rrëzuar Qeverinë e tij, zgjidhen gjërat për Kosovën, bën gabim. Sipas tij po të ndodhte kështu do të bëhet dhe më keq.

Ndërsa, theksoi se Lista Serbe nuk duhet të vazhdojë ‘ngujimin’, mirëpo duhet t’i adresojë shqetësimet e veta aty ku duhet, në Qeveri.