Hashim Thaçi i shpallë luftë Ramush Haradinajt

Presidenti Hashim Thaçi e ka mbajtur edhe sot një konferencë për media. Ai zgjodhi që t’ia kthej një nga një të gjitha akuzat kryeministrit Ramush Haradinaj. Thaçi i bëri thirrje kryeministrit të jetë më racional dhe i përgjegjshëm kur flet për dialogun.
Presidenti Thaçi e nisi konferencën e sotme duke e përsëritur se nuk kanë qenë më shumë se 12 mijë pjesëtarë të UCK’së dhe u bëri thirrje përfaqësuesve politikë mos të përzihen në çështje të drejtësisë, transmeton Express.

Kjo ishte vetëm pika e parë e deklaratës hakmarrëse që Thaçi ka përgatitur sot për kryeministrin Haradinaj, i cili vazhdimisht thotë se kanë qenë 50-60 mijë veteranë të UCK’së dhe i cili ka kritikuar ashpër ish-prokurorin Elez Blakaj.

“Keqpërdorimet në listat e veteranëve duhet të hetohen deri në fund. Të gjithë e dimë se nuk kanë qenë më shumë se 12 mijë veteranë”, tha Thaçi.

“Dialogu nuk ka vdekur”, tha Thaci duke i tërhequr vëmendjen kryeministrit, i cili tha sot “Ngushëllime. Ideja e ndarjes ka vdekur”.

Tutje, Presidenti i bëri thirrje publike Haradinajt të jetë më i përgjegjshëm dhe më racional kur deklarohet.

“I bëj thirrje Kryeministrit të jetë më racional dhe më përgjegjës në deklaratat e tij për dialogun”, është shprehur Thaci.

Kryeministri Haradinaj të premten në fshatin Marinë të Skenderajt, i tha presidentit Thaci se nuk guxon të flas me Serbinë për territorin e Kosovës.

“Jam i sigurt se Kryeministri ka nevojë t’i korrigjojë deklaratat dhe qëndrimet e tij për procesin e dialogut”, tha Presidenti.

Thaci kishte përgatitur edhe goditjen e fundit për Haradinajn, duke ia përmendur miqësinë që ka me Milan Radojciqin e Veriut të Mitrovicës.

Sipas presidentit, kryeministri Haradinaj po e sakrifikon Luginën e Preshevës vetëm për një person, duke aluduar në Milan Radojciqin, që konsiderohet nja nga njerëzit më me ndikim në Veri.

“Nuk e sakrifikojë luginën për hir te ndonjë individi në veri”, tha Thaci para gazetarëve. Përfundimisht Thaci kërkoi nga Haradinaj që të jetë më i mençur dhe më i shkathët kur është në pyetje dialogu me Serbinë.