Kryetari i OVL UÇK-së e zbulon të vërtetën se kush do të ftohet tjetër nga Specialja

Thirrjet për intervistim nga Prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim. Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se deri më 4 shkurt pritet të intervistohen rreth 100 ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Gucati ka konfirmuar se Gjykata Speciale veçse ka aranzhuar që më datën 4 shkurt të shkojnë dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së për intervistë në Hagë.

I pyetur se nga cilat zona do të jenë të ftuarit për intervistë në Gjykatën Speciale, ai tha se të ftuarit do të jenë të niveleve të ndryshme dhe nga zona të ndryshme.

“Me 4 shkurt kanë me shku dhe disa shokë tonë, për arsye se programin dhe orarin e ka ndarë Gjykata Speciale. Me këtë datë do të udhëtojnë grupi i fundit. Ppritet të jenë rreth 100 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga disa zona të caktuara”, tha Gucati për Kosovapress.

Tërë këtë proces, kreu i OVL të UÇK-së e cilësoi si të montuar, ku ritheksoi se kjo gjykatë është e papranueshme për ta.

Ndër të tjera, ai bëri të ditur se janë duke planifikuar që të protestojnë dhe janë duke u organizuar që në mënyrë sa më masive t’i kundërpërgjigjen kësaj gjykate.

“Nuk hiqet opsioni për protestë. Ne jemi duke diskutuar gjithmonë, ditët në vijmë do të vendosim”, shtoi Gucati.