Kurti: Po luajnë me Hashim Thaçin si me top ping-pongu

Presidenti Hashim Thaçi do që ta zëvendësojë Gjermaninë me Rusinë në politikën e jashtme të Kosovës dhe në orientimet e saj gjeopolitike dhe historike. Kështu thotë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në një intervistë për Portalin Koha.net, thotë se ai duke pasur hall fatin e vetvetes, nuk sheh shpresë te sundimi i ligjit sipas modelit evropian por te autokracia ku politika është mbi ligjin sipas modelit rus.

“Vuçiqi e çoi te Putini, kurse Putini e rikthen te Vuçiqi, po luajnë me Thaçin si me top ping-pongu”, thotë Kurti.

Ai thotë se udhëtimet me avion dhe qëndrimet nëpër hotele të Thaçit për bisedime me Vuçiqin, “do të duhej të paguheshin nga buxheti i Serbisë e jo nga buxheti i Kosovës”.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje thotë gjithashtu se nuk ka asnjë kusht që do ta pranonin Thaçin për kryenegociator në Bruksel, në bisedimet Kosovë-Serbi.

Thaçin e quan ‘seri të dështimeve’ e thotë se “ta pranosh Thaçin është si ta pranosh hajnin që vjedh shtëpinë e vet kur të thotë: më ler të bëj pazar në emrin tënd me kojshinë. Thaçi është president për veten dhe për Serbinë, jo për Kosovën”.

“Thaçi është seri e dështimeve. Atij i nevojiten incidentet në terren dhe thyerja e LDK-së për të ecur përpara projekti i tij me Vuçiqin për ndarjen e Kosovës”, ka thënë tutje Kurti në intervistën për Koha.net.