Matet sasia e reshjeve në Prishtinë: Ja sa ka rënë shi brenda 12 orësh

“Prishtina Weather” ka njoftuar se brenda 12 orëve të fundit në Prishtinë ka rënë shi sa për një muaj

Sipas postimit të “Prishtina Weather” në Facebook, nga mesnata deri në mesditë, në stacionin në Prishtinë janë regjistruar rreth 55 mm (litra për metër katror) reshje shiu.

“Që nga mesnata vendi ynë është përfshirë nga reshje më intenzive shiu. Vende-vende raportohet edhe për vërshime. Nga mesnata deri në mesditë në stacionin personal në Prishtinë janë regjistruar rreth 55mm (litra për metër katror) reshje shiu”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi, gjatë 12 orëve të fundit, në Prishtinë ka rënë sasia e reshjeve për aq sa duhet të bjerë brenda një muaji.

“Kjo sasi e të reshurave është e njëjtë pothuajse sa vlera mesatare e të reshurave për muajin qershor në Prishtinë. Vetëm për 12 orë ka rënë sasia e reshjeve për aq sa duhet të bjerë brenda një muaji”, theksohet në njoftim.