Mustafa akuzon Haradinajn: Na lë pa Çakorr e pa viza, duhesh të shkosh në shtëpi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka fajësuar kryeministrin Haradinaj dhe kauzat e tij të cilat i ka quajtur të rrejshme për çështjen e liberalizimit të vizave dhe kufirit me Malin e Zi.

Mustafa ka shkruar në Facebook se do të ishte mirë që para ambasadave ku presin qytetarët për viza, të vendosen fotografitë e atyre, që, sipas tij, me paturpësi sollën Kosovën në këtë situatë.

Tutje, Mustafa shkroi se BE-ja ka informuar Kosovën me kohë se nëse vonohemi me ratifikim të marrëveshjes së Demarkacionit, do të prolongohet edhe liberalizmi.

“Mbetëm pa përmbushje të zotimeve për liberalizim dhe mbetëm pa përmbushje të zotimeve se kufiri do të zhvendoset ne Çakor. Ndërkaq, askush nuk merr përgjegjësi. Ishte kontestimi që ia bëri Kryetari i AAK-së, tani Kryeministër, me kauzë të rrejshme marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi që qoi që procesi i liberalizimit të mos fillojë me kohë. Ai dhe disa shërbyes të tij, deputetë e profesorë, ngulnin këmbë se kufiri është në Zhleb dhe Çakorr dhe se Kosova po humb 8200 hektarë. Këtë vit demarkacioni u ratifikua, e votuan 80 deputet, kufiri nuk po lëvizë, mbeti aty ku u caktua me marrëveshje, por vizat nuk u hoqën”, ka shkruar Mustafa.

Ai, po ashtu, ka thënë se do të ishte mirë që para ambasadave ku rreshtohen qytetarët për të pritur për viza, të vendosen fotografitë e atyre që e sollën popullin në këtë situatë.

“Do të ishte mirë që para ambasadave, ku rreshtohen e maltretohen me qindra qytetarë me nga një çantë dokumente për të marrë një vizë, t’ua vejmë fotot e atyre që me paturpësi, vetëm për të përfituar nga popullizmi, na sollën në këtë situatë. Edhe fotografinë e Qeverisë së sotme.

BE-ja nuk ishte parimore me Kosovën, se na vëri më shumë kushte sesa vendeve të tjera, por BE-ja na informoi me kohë, në vitin 2015 dhe 2016, se nëse vonohemi me ratifikim të marrëveshjes, do të prolongohet liberalizimi. Këtë e kanë ditur të gjithë”, ka shkruar Mustafa.