Tanja Fajon tregon kohën kur Kosovës i hiqen vizat

Raportuesja për vizat në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon ka thënë se Kosova ka përmbushur kriteret bazë për liberalizim të vizave dhe se çdo shqetësim tjetër nga shtetet anëtare të BE-së është i pa vend dhe i ekzagjeruar.

Në një bisedë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, eurodeputetja Fajon tha se pret që Këshilli i Ministrave në fund të këtij viti të jap dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Shpresoj sinqerisht që Këshilli do të japë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që qytetarët e Kosovës më në fund të mund të udhëtojnë pa viza në BE. Çështja tani është edhe në dorën e presidencës Austriake e cila kryeson Këshillin, për ta vënë atë sa më parë në rendin e ditës dhe shpresoj se kjo do të ndodhë para përfundimit të presidencës së tyre, e cila zgjat deri në fund të vitit”, ka thënë ajo.

Deputetja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon ka folur edhe për zërat kundërshtues nga disa shtete anëtare, të cilat i kanë vënë në pikëpyetje vlerësimet e raportit të Komisionit Evropian (KE).

Pavarësisht kundërshtimeve, Fajon thotë se për Kosovën është me rëndësi që të vazhdojë punën, duke siguruar përmbushjen e vazhdueshme të kritereve të liberalizimit të vizave, madje edhe pas heqjes së tyre, ashtu siç është edhe rasti me të gjitha shtetet e tjera.

“Çdo shqetësim tjetër i shteteve anëtare është i gabuar dhe i ekzagjeruar dhe unë dëshiroj dhe pres që Këshilli tani do të japë dhe zbatojë të njëjtat standarde në këtë rast, ashtu siç bëri në të gjitha rastet e tjera në të kaluarën”, ka thënë eurodeputetja.

Edhe pse shtetet anëtare mund të ngrenë pyetje të caktuara, Fajon thotë se nuk është e dobishme për të dyshuar në punën e Komisionit Evropian.

Deputetja e Parlamentit Evropian vë në pah se ekzistojnë disa mjete në dispozicion të shteteve anëtare, të tilla si mekanizmi i pezullimit dhe mekanizmi i monitorimit të liberalizimit të vizave, si dhe sistemet hyrëse të ETIAS dhe EES që do të rrisin kontrollet në kufijtë e BE-së dhe gjithashtu do të parandalojnë çdo abuzim potencial të vizave