Thaçi: Gjykatën Speciale nuk ua solla unë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se sa i përket Gjykatës Speciale mendon se askush nuk ka qenë më i qartë sesa ai, që nga fillimi i këtij procesi.

“E kam thënë edhe atëherë, e them edhe sot, edhe përgjithmonë. Themelimi i kësaj Gjykate është padrejtësi historike për Kosovën, këtë s’e ka kaluar asnjë vend tjetër”, theksoi presidenti Thaçi.

Në një konferencë për shtyp pak ditë para se Kosova ta shënojë 10 vjetorin e funksionimit si shtet i pavarur, Thaçi përsëriti se themelimi i Gjykatës Speciale është imponuar dhe është zgjedhur më e keqja e mundshme.

Ai ka falënderuar ish-kryeministrin Mustafa “që ka kontribuar për t’i bindur deputetët, por edhe partitë e tjera”.

Thaçi e pranoi se ka biseduar me deputetët veç e veç dhe i ka bindur për ta votuar themelimin e Speciales, por theksoi se nuk ua ka imponuar një gjë të tillë.

“I kemi pasë dy mundësi, që këtë Gjykatë ta themelojë Këshilli i Sigurimit me Rusinë e Kinën ose ta themelojmë ne me legjislacionin vendor. Pra, Gjykatën Speciale nuk ua solla unë, por e sollën rrethanat”, tha ai.

Presidenti theksoi se qëndrimi i tij për Gjykatën është i njëjtë, si sot si më 2015.