“Haraçi” në shkollë, paguaj 50 centi ose rrahesh

Një rrahje mes disa nxënësve të një shkolle fillore në Fushë Kosovë ka ndodhur të enjten e kaluar. I gjithë sherri mësohet se ka nisur pasi një nxënës kishte kundërshtuar të paguate shumën prej 50 centi që i kishte vënë si “haraç” një nxënës tjetër me disa shokë të shkollës.

Se niveli i sigurisë së përgjithshme në shkollat publike të Kosovës vazhdon të jetë ende nën nivelin e dëshiruar, e tregon edhe rasti i fundit në Fushë Kosovë.

FaktePlus ka mësuar se në këtë qytet në shkollën fillore “Mihail Grameno” ka një kohë që disa nxënës po maltretojnë bashkëmoshatarët e tyre, duke i detyruar që të paguajnë “haraç” në mënyrë që mos të ngacmohen apo edhe sulmohen fizikisht.

Njëjtë është vepruar edhe të enjten e kaluar, kur nxënësit e klasës së 9-të, E.S, V.K dhe V.V  (emra të njohur për redaksinë) e kanë shantazhuar nxënësin F.P, që të paguaj 50 centi për të hyrë në banjo ose në të kundërtën do të rrihet pas përfundimit të mësimit.

Meqë nxënësi F.P nuk ka pranuar të jap para, më vonë pas përfundimit të procesit mësimor është rrahur brutalisht jashtë oborrit të shkollës nga ata që i kërkuan paratë.

Rastin në fjalë e ka konfirmuar edhe drejtoria e shkollës fillore “Mihail Grameno”, në Fushë Kosovë. Zëvendësdrejtori i kësaj shkolle, Sadri Emini i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se ngjarja ka ndodhur jashtë oborrit të shkollës.

“Po, ata janë nxënës të shkollës tonë, dhe kjo rrahje ka ndodhur mes dy nxënësve pas një fjalosjeje e cila ka ndodhur në banjon e shkollës. Pas procesit mësimor nxënësit e kanë vazhduar zënkën edhe jashtë shkollës dhe janë rrahur mes vete”, ka pohuar Emini.

Edhe në qytete tjera të Kosovës kohë pas kohë ka pasur raste kur grupe të miturish kanë sulmuar nxënësit e shkollave fillore e të mesme, duke u kërkuar para. Një rast më serioz i kësaj natyre kishte ndodhur katër vjet më parë në qytetin e Pejës me të ashtuquajturin grupi i “kikirikëve”.

Por, kësaj radhe në Fushë Kosovë duket se nuk kemi të bëjmë me ndonjë grup të përmasave të tilla. Zëvendësdrejtori Sadri Emini thotë se shkolla është duke e trajtuar seriozisht këtë rast dhe ka ndërmarrë masat që mos të përsëriten këso dukuri.

“Kemi kontaktuar me prindërit e nxënësve dhe si masë fillestare notat e sjelljes ua kemi thyer nxënësve të përfshirë në konflikt. Është hera e parë që ndodhë kjo në shkollën tonë, mirëpo ne do të mundohemi ta eliminojmë, duke mos e lejuar që të marrë përmasa të mëdha”, theksoi Emini.

FaktePlus ka mësuar se dy nxënësit e përfshirë në rrahje, janë fëmijë që prindërit i kanë të punësuar në Policinë e Kosovës. Njëri nga prindërit është pjesë e policisë së trafikut, kurse tjetri i njësisë speciale.

Këtë fakt e pohon edhe zëvendësdrejtori shkollës fillore “Mihail Grameno”, Sadri Emini.

“Aty dy nxënës janë fëmijë të policëve”, ka pohuar shkurt ai.

Me këtë rast siç mëson FaktePlus është marrë edhe Policia e Kosovës dhe për këtë redaksia ka dërguar pyetje në zyrën për informim të policisë, por ende nuk janë kthyer përgjigje.

Si do qoftë, rastet e tilla tregojnë se niveli i sigurisë së përgjithshme në shkollat publike të Kosovës vazhdon të jetë ende nën nivelin e dëshiruar. Ashtu siç kanë vënë në pah hulumtime të mëhershme, kafiteritë jashtë shkollës, oborri i shkollës dhe tualetet identifikohen si vende më pak të sigurta. Derisa edhe koha gjatë kthimit në shtëpi dhe ajo gjatë pushimit në mes orëve të mësimit konsiderohet e pasigurtë