Policia franceze heq kaskën si shenjë paqeje për protestuesit, video bëhet virale

Ndërsa Franca po përballet me një rritje të protestave të dhunshme ku kanë mbetur qindra policë e demostrues të plagosur, një video që tregon zyrtarët duke bërë një gjest paqeje është bërë virale.

Në pamjet e publikuara në  mediat sociale, një grup prej dhjetëra policësh heqin kaskat e tyre, ndërsa qëndronin pak metra larg një turme protestuesish.

Demonstruesit e gëzuar mirëpritën gjestin e paqes duke duartrokitur policinë dhe duke kënduar himnin kombëtar francez.

Ngjarja e pazakontë u ndodhi në qytetin Pau në Francën jugperëndimore, jo shumë larg nga kufiri spanjoll.

Video u bë menjëherë virale pasi njerëzit nxituan ta shpërndanin në mediat sociale.

Oficerët hoqën kaskat e tyre mbrojtëse në një shenjë solidariteti me protestuesit, të cilët kundërshtojnë taksat e reja të karburantit.

Megjithatë, disa media lokale raportojnë se ishte më tepër një përpjekje për të qetësuar turmën.

Vetëm pak orë para se të realizohej video, një grup i madh protestuesish të zemëruar u mblodhën para bashkisë së Paut.

Disa prej tyre raportohet se kishin planifikuar të hynin në ndërtesë, ku po organizohej një mbledhje e këshillit.

Situata e tensionuar çoi në një përplasje mes protestuesve dhe policisë në një moment, por pastaj forcat e zbatimit të ligjit vendosën ta zgjidhnin çështjen në mënyrë paqësore.

Komandanti i njësisë së policisë urdhëroi oficerët e tij të hiqnin helmetat, siç kërkuan protestuesit. Turma pastaj u shpërnda në mënyrë paqësore, sipas mediave.