Plaku ra në dashuri me një më të re, ndahet nga e shoqja pas 30 vitesh martesë

Sipas statistikave të INSTAT-it, në 100 martesa, 24 përfundojnë me divorc. Mosha mesatare e të divorcuarve është 30 vjeç.

Por çfarë ndodh kur një çift bashkëshortësh ndahen pasi kanë jetuar 30 vjet së bashku? Vera Shkëmbi, 65-vjeçare me origjinë nga Korça tashmë jeton në Tiranë, pas një martese që zgjati mbi 3 dekada, të kurorëzuar me 2 fëmijë, ndodhi ajo që Verës nuk i kishte shkuar kurrë në mendje kurrë, divorci.

Sponzor

“E kishtë tjetrën ai atje ku punonte. Biles kam rastisur që kam vajtur kam mbledhur ullinj edhe ajo ka ardhur deri tek dera e shtëpisë sime. Donte nuse më të re ai! Vinte në shtëpi dhe zihej më mua. E kisha frikë në fakt se kur pinte alkool nuk njihej më se kush ishte. Për divorcin nuk më tha gjë fare. Vjen postieri dhe lë letrën me datën e gjyqit. Mua më shkoi mendja tek fëmijët, se nuk e kisha mendjen tek ky. Hyr e dil këtë javë sa të hapet gjyqi, se pastaj do të të ndaj – kështu më tha”, kujton Vera.

Gjyshër të 5 nipërve dhe mbesave, Vera tregon pështjellimin e atyre kohëve, kur këmbët e çonin dyerve të gjykatës.

“Kur kam vajtur afër gjykatës, thashë që më mirë të mos ekzistoja si njeri. Më vinte turp, zor, keq! Më vinte edhe keq. Vdekj.en e dija, por që të ndahesha në këtë moshë, nuk më shkonte mendja kurrë”, thotë ajo.

Sot zonja 65-vjeçare jeton me të bijën dhe nipin, Gersin 6 vjeçar. Ish-bashkëshorti i Verës, së fundmi i ka kërkuar ribashkimin, por Vera thotë se kjo nuk ka për të ndodhur më kurrë.

“Unë?! Ndoshta mund të na bashkojë ose Tufina, ose Sharra, se për të bashkuar jo, kurrë!”, thotë ajo e vendosur.

Për pensionisten, divorci tani ka kaluar në plan të dytë, parësore tashmë është mbijetesa.

“Të ardhurat e mia deri para prillit ishin zero. Marr ndihmë ekonomike, 25 mijë më duken sikur marr 250 mijë, por i jap për ilaçet dhe nuk më ka mbetur asnjë lek”, thotë Vera.

Vera ka hapur 3 herë gjyq për pensionin. Ajo pretendon një pension kooperative që do të shkonte tek rreth 70 mijë lekë të vjetra, por që me kalvarin e proceseve gjyqësore, që ja ndjekin falas avokatë nga lista e Ministrisë së Drejtësisë, nuk dihet kur do të finalizohet.

Shtëpia ku jeton është në proces legalizimi dhe në emër të ish-bashkëshortit i cili e kërcënon, se shumë shpejt do t’ja marrë e ta nxjerrë në rrugë.“Nuk di ku të shkoj! Harroj, kam ato mendimet! Jam si peshku pa ujë. Nuk di! Nuk kam asgjë! Nuk kam as shtëpinë! Të kem shëndetin dhe të ketë shëndetin kjo çupa se po më luan mendja”, rrëfen Vera mes lotësh.

Sociologia Meri Poni shpjegon se për një sërë arsyesh, divorci në moshë të tretë është shumë më i rëndë sesa në rini. “Çifti mund të ketë kaluar peripeci gjatë jetës martesore dhe ndihen të pakënaqura, sidomos gratë. Ajo që mund të mos humbasë nga divorci është gruaja. Më i humburi në divorcin në moshë të madhe do të ishte me patjetër burri”, thotë ajo.