Korrigjimi i kufirit dhe efektet e dëmshme për Kosovën

AUTORI:FATON ABDULLAHU

Më e keqja nga të gjitha është se ky propozim ende po vazhdon të jetë në top agjendën e Presidentit dhe si i tillë po prodhon pandalshëm efekte shumë të dëmshme, disa prej të cilave do t’i analizoj më poshtë

Presidenti aktual i Kosovës më parë preferon të duket krejt jo pragmatik dhe gati absurd me propozimin e tij se Kosova vetëm do ta marrë Luginën e Preshevës pa dhënë asgjë për shkëmbim, sesa ta marrë përsipër përgjegjësinë ekstra të rrezikshme se ai punon me Serbinë për shkëmbim territoresh.

E kuptueshme, sepse po ta bënte të kundërtën do të binte ndesh me Kushtetutën, ndërkohë i ashtuquajturi ‘korrigjim i kufirit’ nuk është asgjë tjetër veçse shkëmbim territoresh. Pavarësisht nga kjo, një nga të këqijat e propozimit të Thaçit është se ajo është hedhur në opinion para se të sigurohet një përkrahje nga aleatët tanë ndërkombëtar. Prej nga ky nxitim dhe pse nuk u sigurua kjo përkrahje, mbetet ende e paqartë dhe kjo lë vend për shumë interpretime të cilat

Thaçi si duket vazhdon të ketë interes t’i mbajë në mjegull politike. Por më e keqja nga të gjithat është se ky propozim ende po vazhdon të jetë në top agjendën e Presidentit dhe si i tillë po prodhon pandalshëm efekte shumë të dëmshme, disa prej të cilave do ti analizoj më poshtë.

1) Përçarja e spektrit politik në Kosovë është një e keqe e drejtpërdrejtë që u determinua dhe u thellua nga propozimi i ‘korrigjimit të kufirit’. Për shkak të qëndrimeve të ndryshme ndaj këtij propozimi, dallimet deri në përçarje janë të mëdha edhe përbrenda pozitës e lëre më në raport me opozitën. Presidenti aktual për projektin e tij ka më shumë përkrahës se që mund të kuptohet nga deklarimet e atyre që ja përkrahin idenë dhe kjo për aq sa ai ka ndikim tek shumë struktura shtetërore e partiake. E keqja më e madhe është se krejt kjo përçarje po ndodhë në kohën kur kërkohet një unitet i shuar në krejt spektrin tonë politik për të qenë më efikas dhe nxjerrë përfitime nga dialogu me Serbinë.

2) Mospajtimet ndërmjet aleatëve tanë të përhershëm ndërkombëtar është një tjetër e keqe e determinuar nga propozimi për ‘korrigjimin e kufirit’. Ata kanë mendime të ndryshme për një çështje të njëjtë. Kjo ndodhë për herë të parë që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë. Qasja se, të vetme Kosova dhe Serbia mund ti zgjidhin problemet e tyre pa ndërmjetësim të perëndimorëve është brengosëse dhe ka bërë që disa nga aleatët tanë të marrin rolin e vëzhguesit për të pritur se çfarë do të ndodhë tutje. Kur kësaj i shtohet edhe pritja dhe moskundërshtimi jo I zakonshëm që shfaq Federata Ruse ndaj ‘korrigjimit të kufirit’ krejt kjo bëhet edhe alarmante.

3) Serbët e Kosovës, sidomos pjesa e cila nën ndikimin e vazhdueshëm të Beogradit zyrtarë kundërshton të bëhet pjesë e realitetit të ri në Kosovë, me propozimin e Thaçit, jo vetëm që nuk e zvogëlon këtë kundërshtim, por intensiteti i refuzimit të pjesëmarrjes në realitetin e ri në Kosovë, rritet dhe ambiciet për ta ndarë Kosovën, para se ta njohin atë si shtet, shtohen shumë. Pas këtij ndikimi, Kosovës dhe aleatëve të saj do t’i duhet shumë energji politike dhe tjetër për ta riparuar këtë gjendje të re, konkretisht për t’i bindur serbët e Kosovës se, nuk është fija e ndarjes dhe se Kosova do të vazhdoj të mbetet unike dhe e pavarur.

4) Njohjet e reja ka kohë që mungojnë, por me propozimin që prek integritetin dhe sovranitetin e Kosovës si dhe bazën kushtetuese me të cilën strukturohet Kosova, justifikimet për të mos e njohur Kosovën shtet të ri, fitojnë në arsyetime, së paku për ti ndalur përkohësisht njohjet e reja me shpjegimin se, ka lëvizja të reja të cilat të ardhmen e këtij shteti e bëjnë të paqartë, prandaj qasja ‘të presim e te shohim’ bëhet arsyetim i ri i shteteve që kanë qenë në listën e vendeve që do të na njihnin. Mu për shkak të ‘korrigjimit të kufirit’ edhe tërhiqja e njohjeve mund të bëhet problem me të cilin do të na duhet të merremi më shpesh në të ardhmen.

5) Investimet e huaja në Kosovë zor se mund të shënojnë rritje në asnjë variant përderisa është krijuar një gjendje e re e cila, më shumë se zgjidhje të problemit me Serbinë përmes dialogut, ka ngjallur pasiguri dhe konfuzitet në të gjitha sferat për të ardhmen e Kosovës. Krijimi i kësaj klime të re politike me elementë të vjetër ballkanik mund t’i dekurajoj shumë biznese të huaja të investojnë në Kosovë apo së paku mund t’i vë ato në pritje për të parë se si do të zhvillohet situata. Thjesht kur në Ballkan ka prekje kufijsh e ardhmja asnjëherë nuk është e sigurt dhe këtë më parë se biznesmenët askush nuk e detekton.

6) Rrugëtimi i Kosovës për në BE ngadalësohet dhe ky stagnim prek të gjitha politikat kontraktuale dhe proceset e ndryshme, me rrezikun që t’i zhvendos ato në gjendjen e pritjes për të parë se si do të zhvillohet situata e re e krijuar nga propozimi i Presidentit kosovar. Kjo gjendje e parë me hezitim nga Brukseli dhe e kundërshtuar shumë nga Gjermania, sidomos do të ketë efekte jo të mira sa i përket pesë shteteve të BE-së që nuk na kanë njohur, sepse tek ato vetëm sa do ta forcoj arsyetimet e deritashme pse nuk e kanë njohur shtetin tonë.

7) Involvimit të Rusisë dhe të gjitha vendeve që nuk janë pjesë e gjeopolitikave euroatlantike u është hapur një mundësi e re në Ballkan, konkretisht tek ne, mundësi kjo e panjohur në këtë përmasë që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Të pretendosh të hysh në dialog me Serbinë për çështje kaq të rëndësishme, sikundër janë kufijtë, e në të njëjtën kohë të pranosh që ta bësh këtë dialog vetëm për vetëm me Serbinë, pra pa pjesëmarrjen e perëndimorëve si garanci në këtë tavolinë, është nismë dekadente të cilën jo perëndimorët do ta shohin si ftesë për involvim. Ideologët dhe veprimtarët e formimit të shtetit të Kosovës e kanë pasur qëllim ta bëjnë mu të kundërtën kur janë ulur në tavolinë me Serbinë.

8) Inkurajimi i Serbisë, në të gjitha përpjekjet e saja të vjetra e të reja, kundër pavarësisë së Kosovës, ka fituar në intensitet pas propozimit për ‘ndryshimin e kufirit’. Pas kësaj ideje Serbia sikur fiton fakte shtesë në justifikimet e saj se, Kosova as për së afërmi nuk është storie e përfunduar. Ajo këtë e përdorë në shumë mënyra. Së pari shton përpjekjen për tu involvuar edhe më hapur në Kosovë, sikundër është rasti i fundit me kërkesën për serbët e Kosovës që të largohen nga FSK gjë që pati sukses. Dhe së dyti, vazhdon gjithashtu e inkurajuar jo vetëm tu kërkoj me një diplomaci agresive vendeve të ndryshme të mos e njohin shtetin e Kosovës, por edhe ato që e kanë njohur ta anulojnë një vendim të tillë.

9) Anëtarësimi në organizata të ndryshme ndërkombëtare do të jetë gjithashtu tash e tutje edhe më i vështirë se deri më tani sepse, me propozimin e Thaçit që prek integritetin dhe sovranitetin e vendit tonë ka fituar në peshë arsyetimi i Beogradit zyrtarë se dialogu me Kosovën nuk ka përfunduar dhe ai mund të sjell ndryshime të mëdha prandaj së paku ja vlen që të pritet se si do të përfundoj ky dialog e mandej shtetet mund të marrin vendime që ta pranojnë Kosovën në organizata të ndryshme, të mos e bëjnë këtë, apo edhe ta anulojnë vendimin, nëse e kanë pranuar më parë.