Migrimi s'(është) zgjidhje për kosovarët

Shkruan: Linda Bekteshi

Mundësia e migrimit legal për në vendet e Evropës Perëndimore, po i shtyn shumë të rinj kosovarë që të largohen nga vendi. Kosova ka moshën mesatare më të re në Evropë dhe shkallën më të lartë të papunësisë.

Largimi i të rinjve nuk ka të ndalur. Kosova një vend i vogël ballkanik me 1.8 milion banorë dhe me moshën mesatare të popullsisë më të re në Evropë, përballet edhe me shkallë të lartë të papunësisë, por edhe me mungesën e perspektivës për të rinjtë.

Sa janë politikanët tanë të vetëdijshëm që qytetarët e këtij vendi kanë humbur shpresën për të ardhmen, e kanë humbur edhe dëshirën për të jetuar në vendin, i cili më nuk iu ofron asnjë lloj perspektive zhvillimore, as shëndetësi efikase, as arsim cilësor dhe as edukatë të shëndoshë në shkollat dhe fakultetet tona. Dhe nëse vazhdon edhe pas kësaj qeverisje i njëjti ritëm, atëherë këta të rinj sërish do të kërkonin azil.

Klasa politike do duhej që të jetë në kontakt me qytetarin çdo ditë, jo vetëm në kohë fushate. Kjo ka bërë që të ulesh dhe të mendosh që këto premtime që i bëjnë, a i realizojnë duke marrë parasysh edhe premtimet e më hershme.

Lista e premtimeve të pakryera është tejet e gjatë. Sidoqoftë u premtuan 200 mijë vende pune gjë që nuk u realizua. Qytetarëve u premtuan që do të bëhet udhëtimi pa viza në Evropë dhe kjo mbeti një ëndërr e parealizuar, e shumë gjëra të tjera.

Largimi nga shtëpia është një rrezik i madh për kosovarët. Shumë kanë shitur tokën, shtëpitë dhe veturat, dhe në disa raste kanë hequr dorë nga punët e tyre të rregullta, duke kërkuar një jetë të re në Gjermani apo diku tjetër. Edhe rrugëtimi mund të jetë i rrezikshëm. Disa kanë vdekur gjatë rrugës, të tjerët rrezikojnë të kapen.

Shumica e atyre që kapen kërkojnë azil. Sidoqoftë, për shumë prej tyre, ia vlen të marrësh çfarëdo rreziku përsipër, për të ikur nga varfëria dhe izolimi i Kosovës.

Por, cila është jeta që të rinjtë bëjnë jashtë Kosovës? Të gjithë ne kemi dikë të familjes që jeton jashtë vendit por që ndoshta nuk i kemi parë nga afër se çfarë jete bëjnë ata. Nëse shkon dhe i sheh atëherë e din që nuk është jeta e tyre siç shihet kur vijnë për pushime në vendin e tyre.

Kosovarët që jetojnë jashtë vendit, bëjnë punët më të rënda që mund t’i bëjë një njeri. Me një rrogë që e marrin nuk mund t’ia dalin, gjë që janë të detyruar të punojnë edhe dy puna të tjera për të bërë diçka. Jeta e tyre është si e një roboti, punë, punë dhe vetëm punë. Edhe nëse ke të përfunduar doktoraturën, për një kosovar jashtë vendit je një i huaj, një punëtor i thjesht dhe asgjë më shumë.

Ka pak të rinj kosovarë që kanë zënë vend të mirë të punës në perëndim dhe ka pak prej atyre që kanë bërë famë. Ne i gëzohemi këtij fakti dhe menjëherë e bëjmë një lajm për të treguar arritjen e tyre. Por, pjesa tjetër është duke bërë punë krahu.

Vjen pyetja se çfarë fati kanë kosovarët, një fat i keq që është duke u prirë në Kosovë dhe duke lëshuar vendin për një jetë më të mirë, i njëjti fat i pret.