Urdhrat e Ankarasë

Mevlüt Çavuşoğlu erdhi në Prishtinë dhe kërkoi dy gjëra: Mbylljen e edhe atyre pak shkollave që i konsideron gjyleniste dhe dëbimin e çdonjërit që kërkojnë. Do ta bëjë këtë Kosova apo jo? Po. Ka premtuar, por beson se do ta bëjë më me kujdes dhe ndryshe.

Leonard KOMANI

Në Prishtinë erdhi ministri i jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu dhe kërkoi dëbimin e gjylenistëve, mbylljen e shkollave të këtij rrjeti dhe përhapjen e atyre të organizatës „Maarif“, që janë të qeverisë së Erdoganit. Kjo ngjarje i ka dy dimensione. Një që mund të shkojë në favor të sovranitetit të Kosovës e tjetra që mund ta fusë shtetin edhe më në telashe të brendshme e të jashtme.

Pozitivja që implikon ardhja e ministrit të jashtëm turk – përndryshe njëri nga më besnikët e autokratit të Ankarasë – qëndron në paralojën që ka shtyrë e vizitën e tij. E gjithëpushtetshmja ambasadore Kiliç, sipas të gjitha gjasave, ka kërkuar ndihmë, mbështetje nga instancat më të larta, ngase nuk ia del më vetë të organizojë mbyllje shkollash, kidnapime dhe aksione tjera të llojit e klandestine. Kjo pafuqi vërehet sidomos pas skandalit me dëbimin antiligjor e si në filma të hollywoodit pedagogët që përfunduan në – më mirë as mos parafytyrojmë se në ç’tortura e në cilat katakombe të burgjeve të famshme turke kanë përfunduar.

Pasoja, dimensioni negativ i kësaj vizite është tek premtimi që mund t’i kenë bërë presidenti dhe ministria e jashtme e Kosovës Mevlüt Çavuşoğlu-të rreth kërkesave të tij. Dhe analizuar sipas konferencave për shtyp dhe deklaratave të të dyja palëve çdo indikator flet se kjo ka ndodhur. Pra, çka i kanë premtuar funksionarët kosovarë delegatit turk, i cili duket doli i kënaqur nga vizita e tij?

Duke njohur pak a shumë sjelljen e protagonistëve si Thaçi dhe Pacolli duhet t’iu besojmë spekulimeve të atyre që thanë se paria e Kosovës i ka premtuar Turqisë se do të mbyll edhe ato pak shkolla që kanë mbetur të „gjylenistëve“ dhe do të „dëbojë“ kë ta kërkojnë, por më vonë e pak më ndryshe: sa më larg opinionit të brendshëm dhe duke iu ikë disi dylbive të agjencive perëndimore që veprojnë në Kosovë.

Se ky premtim do ishte qesharak, jo se i parealizueshëm, kështu edhe do të ndodhë, infantil është se do tentohet të sajohet që mos e marrin vesh njerëzit e BE-së dhe strukturat tjera në Kosovë. Ose a beson dikush në versionin tjetër se Pacolli dhe Thaçi i kanë thënë prerazi Mevludit: „Harroje! Kosova është shtet i pavarur. Nuk pranon kërkesa e urdhra të tilla, ngase ato bien ndesh me kushtetutën e saj. Se Kosova nuk mund ta bëj këtë ngase ka ratifikuar një seri dokumentesh që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe të drejtat e Njeriut, ato të refugjatëve dhe sidomos të përndjekurve nga shtetet totalitare“. Beson vërtet dikush në këtë version?
Ne jo!

Çka mund të presim atëherë? Kosova do ta shkel sovranitetin e saj sërish duke lejuar që ambasada turke të shndërrohet në transit-guatanamo për njerëz të akuzuar si gjylenistë. Pal Lekaj dhe Haradinaj do të shajnë pasi ta kenë marrë vesh se aeroplani i MIT ka aterruar në Stamboll, Ankara apo qoftë edhe në Aleppo.

Do të mbyllen dy shkolla dhe do të hapen 6 tjera me portretin e Erdoganit, ndërsa Kili Mili Kiliç si ponc-pilate do të ecë me këmbët e saja fragjile mbi tepihët e kuq që ia shtrojnë vazhdimisht Ardian Gjini dhe Shpend Ahmeti për të hapur shkollat publike me siglën e TIKA-s. Kjo do të ndodhë.

Kështu do të ngjajë se megjithatë, edhe shteti, qoftë si konstruksion abstrakt apo konkret, nuk ruan dot sovranitetin e tij me këtë varësi totale nga aq shumë padronë të jashtëm e sidomos kur gjendet nën mëshirën e një autokrati kaq primitiv siç është Erdogani.