​Një El Clasico pa Messin dhe Ronaldon

Camp Nou do të jetë skena e një prej rivaliteteve më të mëdha në sport, megjithatë në këtë ndeshje do të mungojnë dy yjet më të mëdhenj, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo. Ndeshja do të zhvillohet sot në orën 16:15.

Për më shumë se një dekadë, El Clasico është definuar nga beteja mes dy futbollistëve që konsiderohen nga shumë njerëz si dy më të mirët në histori të futbollit, Messi dhe Ronaldo. Megjithatë, asnjëri nga ta nuk do të luajë në këtë ndeshje, pasi që Messi e ka të lënduar krahun e djathtë, ndërsa Ronaldo është transferuar në Juventus, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, kjo ndeshje pritet të jetë mjaft interesante edhe pa këta dy lojtarë, pasi që mungesa e tyre i ka krijuar hapësirën yjeve të rinj të dy skuadrave ta dëshmojnë veten në një prej ndeshjeve më të mëdha të një sezoni.

Fitorja do ta kthejë Barcelonën në vendin e parë në tabelën e La Ligës, megjithatë edhe një barazim do të ishte i mjaftueshëm për ta marrë kreun pasi që e mposht Atletico Madridin përmes diferencës më të madhe të golave. Ndërsa, fitorja për Real Madridin do ta ngushtonte dallimin mes dy ekipeve në vetëm një pikë.

Ernesto Valverde nuk do të ketë mundësi ta shfrytëzojë ndihmën e Lionel Messin, Samuel Umtitit dhe Thomas Vermaelenit në këtë ndeshje për shkak se që të tre janë të lënduar. Ndërsa, Julen Lopetegui do të mund ta emërojë Marcelon në ekip të parë përkundër goditjes që mori në mesjavë, por ende nuk dihet nëse Mariano Diaz dhe Dani Carvajal do të jenë ta gatshëm për këtë ndeshje.

Formacionet e mundshme të të dy skuadrave:

Barcelona: Ter Stegen; Alba, Lenglet, Pique, Roberto; Busquets, Rakitic, Arthur; Coutinho, Rafinha, Suarez.

Real Madrid: Courtois; Vazquez, Marcelo, Ramos, Nacho; Casemiro, Kroos, Modric; Isco, Bale, Benzema.