Shaqiri nuk shkon në Beograd, ky është reagimi i mediave serbe

Xherdan Shaqiri nuk do të jetë pjesë e kontingjentit të Liverpoolit për ndeshjen e nesërme ndaj Crvena Zvezdës, e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, shkruan Zeri.info.

Dhe, mediat serbe gjatë ditës së sotme i kanë dhënë jehonë të madhe këtij fakti duke thënë se klubi anglez nuk ka guxuar ta ftojë futbollistin shqiptar, i cili me këtë rast ka mundur të ketë probleme me tifozët e revoltuar serbë, të cilët e urrejnë atë për shkak të shqiponjës dykrenore, të cilën e kishte bërë me rastin e shënimit të golit ndaj Serbisë në Botërorin e Rusisë.

“Shaqiri, i cili shkaktoi një ortek komentesh negative nga tifozët serbë për shkak të mënyrës se si e festoi goditjen për fitoren e mundshme të Zvicrës (duke mbajtur gishtat e në kraharor, një simbol i përdorur nga avokatët e idesë së të ashtuquajturës “Shqipëria e Madhe”) nuk do të vijë në kryeqytetin e Serbisë”, ka shkruar “Blici” serb.

“Në Kampionatin Botëror në Rusi, Xherdan Shaqiri festoi golin kundër Serbisë me provokim politik, me një gjest me duar duke dërguar një mesazh me ‘Shqiponjën shqiptare’ ose të ashtuquajturën ‘Shqipëria e Madhe’. Në ndeshjen kundër Zvezdes në Anfield, Shaqiri ishte ndoshta lojtari më i mirë i të kuqve, dhe kjo e shtoi peshën për ardhjen e tij në Beograd, sepse me siguri do t’i kushtonte më shumë vëmendje në ‘Marakana’ sesa lojtarëve të tjerë. Sidoqoftë, një ditë para ndeshjes Liverpool vendosi që Shaqiri ende nuk do të udhëtojë për në Serbi!”, ka shkruar “Mondo.rs”.

Edhe mediat tjera të njohura serbe kanë shkruar për Shaqirin gjatë ditës së sotme.