32-vjeçarja humbi jetën pas lindjes

Një rast i rëndë ka ndodhur në QKUK.

Me dyshimet se kishte nisur një lindje të parakohshme, Spitali i Gjakovës e kishte nisur me urgjencë Drilona Lleshi-Morinën për në QKUK.

Por, pas lindjes, gjendja shëndetësore e 32-vjeçares nga Gjakova do të komplikohej.

Tri operime të realizuara brenda 5 ditëve qëndrimi në QKUK, nuk do të bënin që Drilona Lleshi-Morina të mbijetonte, raporton KTV.

Familja e së ndjerës thotë se pas gati dy javësh nga humbja e Drilonës, ende nuk i di shkaktarët e rastit të së resë, e cila la pas një fëmijë të porsalindur.

Derisa akuza për mënyrën e trajtimit kanë fillimisht ndaj gjinekologut, tek i cili i kryente vizitat e rregullta, e më pas edhe ndaj spitalit në Gjakovë dhe QKUK-së.

Marigona Lleshi, motra e së ndjerës, thotë se mjekët në QKUK, futjen në operim të Drilonës e kishin arsyetuar me heqjen e mitrës, përmes së cilës tentohej të ndalej gja,kderdhja, por që ajo nuk u hoq asnjëherë.

Por, gjinekologu Hasan Mangjuka, i cili e trajtoi gjatë gjithë shtatzënisë të ndjerën Drilona Lleshi, thotë se nuk kishte vërejtur tek ajo ndonjë problem shëndetësor, derisa sqaron se përse kishte vendosur ta dërgonte në spitalin e Gjakovës.

Drejtuesit e spitalit të Gjakovës thonë se Drilonën e kishin nisur me urgjencë për në QKUK, pasi dyshonin se ishte nisur një lindje para kohe.

Ndërsa, QKUK ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se përkundër kujdesit maksimal nga ana e stafit mjekësor, pacientja nuk kishte arritur të mbijetojë.

“Pas përkeqësimit të gjendjes, konsiliumi i mjekëve të Klinikës së Gjinekologjisë ka vendosur që ta operojë për herë të dytë pacienten, ku pas operacionit i janë ndalur gjakderdhjet. Përkundër përkujdesjes maksimale nga stafi mjekësor, pacientes sërish i përkeqësohet gjendja dhe dërgohet në mjekimin intensiv qendror. Ekipi i mjekimit intensiv qendror ndërmerr të gjitha masat e nevojshme reanimatore dhe pacientja prapë operohet nga gjinekologët, urologët dhe kirurgët vaskularë. Mitra nuk është larguar sepse nuk ka pasur indikacione, pra nuk ka pasur gja,kderdhje”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

Familja Lleshi tashmë ka deponuar edhe një deklaratë në Polici, për mënyrën se si ishte trajtuar nga mjekët e QKUK-së, e ndjera Drilona Lleshi-Morina.

Ndërsa Policia e Kosovës ka konfirmuar se në bashkëpunim me prokurorinë janë duke e trajtuar këtë informatë.