Çfarë ndodh nëse Osmani nuk pranon koalicionin me Kurtin

Lëvizja Vetëvendosje doli e para nga zgjedhjet e 6 tetorit. Tani qeverinë mund ta krijojë ky subjekt politik, i cili preferon të merr në koalicion Lidhjen Demokratike të Kosovës, nëse kjo e fundit pranon të tërhiqet nga posti i kryeministrit.

E në rast se LDK me kandidaten e saj për kryeministre Vjosa Osmani nuk lëshojnë pe për postin e të parit të Qeverisë dhe kanë kushtëzime tjera, atëherë vendi mund të përballet edhe me një palë zgjedhje.

Analisti i çështjeve politike, Ramush Tahiri ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se në rast se LDK-ja pranon të hyj në pushtet për shkak të pozitave, atëherë populli mund ta penalizojë.

“Nëse LDK nuk hyn në pushtet dhe e merr përgjegjësinë sepse për ndarje të pushtetit nuk po hyn në qeverisje, atëherë penalizohet, vendi shkon në zgjedhje dhe Vetëvendosje rritet”, tha Tahiri për FaktePlus.

Megjithëkëtë, Tahiri thotë se LDK do të pranojë që të bëjë koalicion me Vetëvendosje me kryeministër Albin Kurti.

Ai jep edhe opsionet e tij për ndarjen e posteve mes dy këtyre partive që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Sipas meje LDK-ja pranon me shku në koalicion me Vetëvendosjen. Vjosën e emëron zëvendëskryeministre dhe ministre të Punëve të Jashtme dhe është pozicion shumë i mirë. Ma marr mendja që bisedohet që Avdullah Hotin me dërgu në Kuvend. Por, tash modeli është i pasur sepse vetëm dy parti i ndajnë postet ministrore. Nuk mendoj që LDK-ja do të paraqes kapriçe për ndarje të funksioneve dhe mendoj se do ta shty figurën e Vjosës kur Vjosës i duhet ende konsolidim në parti, kurse Albini veç është i pakontestueshëm dhe si i tillë udhëheq edhe qeverinë”, tha Tahiri.

Ndërkaq analisti Tahiri ka theksuar se karakteristikë e këtyre zgjedhjeve ka qenë ndryshimi qw solli votimi qytetar, duke lënë partitë e dala nga lufta më poshtë me vota.

“Ndryshimi është karakteristikë e këtyre zgjedhjeve, sepse partitë opozitare kanë fituar me norma të larta. Gjithashtu, karakteristike është se nuk kanë marrë vota të mjaftueshme partitë e dala nga lufta, do me thënë as Nisma, as Aleanca e as PDK-ja. Secila nga këto parti ka rënie të theksuar dhe disa kanë befasi jo të këndshme”, shprehet Tahiri.

Ndërsa, nesër (e enjte), lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti pritet të takoj kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidaten për kryeministre nga kjo parti, Vjosa Osmanin.

Kurse, zgjedhjet që u mbajtën me 6 tetor Vetëvendosje doli e para me 203 mijë e 52 vota që në përqindje i bie 25,49 për qind. E partia e dytë doli Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila mori 197.702 në përqindje del të jetë, 24,82%.

Ndërsa, në vendin e tretë është Partia Demokratike e Kosovës me 169 mijë e 211 vota apo 21,24 për qind.

Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate e Kosovës, kanë arritur të marrin 92 mijë e 149 vota apo 11,57 për qind, që i ka renditur ata në vendin e katërt.

Kurse koalicioni tjetër Nisma Socialdemokrate e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia e Drejtësisë, kanë marrë 39 mijë e 495 vota apo 4,96 për qind të votave, që i bie se nuk ka arritur ta kalojë pragun.

Ende nuk dihet sa vota janë me kusht, sa kanë ardhur nga diaspora dhe sa janë të atyre me nevoja të veçanta.

Se a do t’ia ofrojë pozitën e ministrisë së Jashtme apo të kryeparlamentarit LDK-së, Kurti mbrëmë gjatë një interviste ka thënë se “është një rend i gjërave sepse tashmë ka një rezultat të zgjedhjeve”.

“I takon negociatave. Ka një pozitë që në praktikën e deritashme ishte më e rëndësishme, ajo e kryeparlamentarit. Duhet të shohim për çka janë më shumë, a për kryeparlamentarin apo të MPJ-së, është një rend i gjërave sepse ka një rezultat të zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Megjithatë, sipas Kurtit, harmonizimi i programit është më i rëndësishëm se ndarja e posteve. Ai ka thënë se asnjëherë më parë, qytetarët nuk kanë votuar kaq shumë për ndryshim.

Për mundësinë e përfshirjes së AAK-së në një qeveri potenciale të VV-së me LDK-në, Kurti ka thënë se “AAK-ja më mirë është në opozitë”.

“AAK-në s’e barazoj me PDK-në, sepse s’ke si, por me qeverisjen e fundit, fort iu ka afruar. S’i kam barazuar asnjëherë me PDK-në. PDK rri në pushtet tjerët i merr me qira. Ta kontrollon shtetin, gjyqësinë, policinë, ATK-në etj. PAN-i është PAN, mirë që të shkojë në opozitë”, ka thënë ai duke përjashtuar edhe mundësinë e bashkëpunimit me Listën Serbe.

Ai po ashtu ka thënë se do të bashkëpunojë me serbët që e njohin Kosovën si shtet dhe që e respektojnë atë.