Hajnat bëjnë kërdi me sabah në Bardh të Madh, vjedhin lopë e mjete pune

Hajnat bëjnë kërdi me sabah.

Banorët e fshatit Bardh i Madh, që gjendet në komunë të Fushës-Kosovës, mëngjesin e sotëm e kanë përjetuar një befasi të keqe. Ata e nisën ditën duke kontrolluar se çka po u mungon, pasi herët në mëngjes hajnat kishin kryer një “aksion” nëpër pronat e tyre.

Kështu qytetarët dhe bizneset nga i gjithë vendi po vazhdojnë të ndjehen të pasigurt nga vjedhjet dhe grabitjet e shumta të cilat thuajse po shpeshtohen dita ditës.
Një tmerr të tillë e përjetuan sot edhe banorët e fshatit Bardh i Madh, që gjendet në komunë të Fushës-Kosovës.

Qetësinë e orëve të para të mëngjesit, këtyre banorëve ua kanë prishur hajnat.
Qytetarët të fshatit kanë treguar se atyre ua kanë vjedhur lopët dhe shumë mjete të tjera të punës.

“Te unë kishin hy, por nuk kanë marr kurrgjë. Veç i kemi pa që dyert na i kishin çel. Mirëpo, një kojshisë këtu afër ia kanë marr 5 a 6 lopë që i ka pas”, ka treguar një banor për FaktePlus.

Ai tutje ka treguar se në disa shtëpi te tjera, hajnat kanë vjedhur edhe mjete të punës.
“ Te një koshi tjetër kanë treguar se ia kishin marrë mjetet e punës që i ka pas në garazh”.

Për këtë rast FaktePlus ka kërkuar përgjigje edhe nga Policia e Kosovës, të cilët kanë dhënë detaje.

Policia konfirmon se në fshatin Bardh i Madh ka ndodhur një vjedhje e rëndë.

“Sot rreth orës 07:30,ne stacionin policor të Fushë Kosovës, është iniciuar një rast vjedhje e rendë. Rasti ka ndodhur ne fshatin Bardh i madh, ku dyshohet se janë vjedhur bagëti. Me rastin po merren njësitet kompetente”, kanë treguar në Policinë e Kosovës.

Duhet thënë se në raportet e përditshme të Policisë së Kosovës, jo rrallëherë paraqiten këso lloj rastesh.

Kështu krahas krimeve të rënda, fenomen shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta që po ndodhin nëpër banesa, shtëpi private, institucione financiare, vetura e dyqane.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, personat që kryejnë vjedhje apo grabitje me përdorim të forcës apo kanosje serioze për personin tjetër, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme, dënohen me burgim nga 3 deri në 12 vjet.

Por edhe pse ligji parasheh sanksione të mëdha, organet e sigurisë ende nuk kanë arritur ta ndalin hovin e madh të vjedhjeve të nisur prej vitesh./FaktePlus