VV e LDK nuk heqin dorë, a po arrihet marrëveshja?

VV e LDK nuk heqin dorë.

Lëvizja Vetëvendosje nuk do të heqë dorë nga formimi i Qeverisë edhe nëse nuk mbërrin marrëveshje koalicioni me Lidhjen Demokratike (LDK), negociatat me të cilin subjekt politik kanë hyrë në rrugë qorre. Madje, është paralajmëruar se pa vonesë emri i mandatarit do të paraqitet para kreut të shtetit.

“Përbrenda afateve dha pa ndonjë vonesë, Lëvizja Vetëvendosje sigurisht se do të dërgojë emrin e mandatarit ashtu siç parashihet me Kushtetutën e vendit”, thuhet në një përgjigje të shkruar që LVV-ja ia ka përcjellë “Kohës Ditore”.

Albin Kurti dhe LVV-ja ndodhen nën presionin e presidentit Hashim Thaçi për t’ia ofruar sa më shpejt atij emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë. Kërkesën e ka përsëritur edhe të premten.

LVV-ja ka refuzuar ta paraqesë para kreut të shtetit emrin e Kurtit, me qëllimin për t’iu dhënë kohë negociatave me LDK-në. Kjo, për shkakun se, nga momenti kur zyrtarisht të caktohet mandatari, nis të rrjedhë afati kushtetues 15-ditor, brenda të cilit kandidati për kryeministër duhet t’ia propozojë Kuvendit përbërjen e Qeverisë.

Në rast dështimi në Kuvend, në herën e dytë, sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, është në diskrecionin e presidentit që, pas konsultimeve me partitë dhe me koalicionet, “të vendosë se cilës parti ose cilit koalicion do t’i jepet mandati për të propozuar kandidatin tjetër për kryeministër.

“Gjykata konsideron se presidenti i Republikës duhet të vlerësojë se cila është gjasa më e madhe që një parti politike ose koalicion të propozojë kandidatin për Kryeministër, i cili do të marrë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e Qeverisë së re”, thuhet në aktgjykim.

Ky skenar mund të evitohet në rast se ka një marrëveshje koalicioni, për të cilin në LVV e LDK ende shohin gjasa.