Mos ikni, rrini t’ju poshtërojmë

A ka hipokrizi e idiotësi më të madhe se t’i bësh thirrje të rinjve që të mos e braktisin Kosovën, ndërkohë që nuk bën asgjë për t’iu siguruar perspektivë në vendin e tyre? Përkundrazi, i ke mbushur institucionet plot familjarë e militantë dhe nuk ia di skajin pasurisë. Thirrja nuk është “mos ikni, se do t’ju krijojmë perspektivë”, por “mos ikni, të vazhdojmë t’ju poshtërojmë”

Imer Mushkolaj

Duhet të mos kesh fije dinjiteti për të folur me aq gjakftohtësi për punësimet partiake, ndërkohë që mban pozitë deputeti a ministri. Duhet të mos kesh fije ndjeshmërie për qindra mijëra të papunë që bredhin rrugëve, kur pa pikën e marres përpiqesh t’i arsyetosh dhjetëra e qindra punësime familjarësh e njerëzish të partisë. Madje, me arrogancë e neveri të paparë.

Kjo po ndodh ditët e fundit me zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilët kanë zgjedhur që haptas të pranojnë e të përpiqen t’i arsyetojnë, duke i konsideruar si normale punësimet e të vetëve nëpër institucione, në Telekom e kompani të tjera publike.

Për ta është normale që të vetët të zënë pozita të rëndësishme nëpër institucione, ndërkohë që shumë e shumë të tjerë nuk e kanë këtë mundësi, pasi që nuk kanë lidhje partiake. Për ta është normale që djem, vajza, nuse, gra, burra, kushërinj, motra e vllazni t’i punësojnë me të ardhur në pushtet ngase, siç thonë, për vite me radhë nuk e kishin këtë mundësi. Dhe, tash iu ka ardhur mundësia, tash po e shfrytëzojnë. Ashtu si dhe partitë tjera në pushtet në të kaluarën.

Është e vërtetë se secila parti që ka qenë në pushtet ka ndjekur praktikën e njëjtë të punësimeve familjare e partiake. PDK, LDK e Nisma e kanë mbushur Telekomin militantë, e tash AAK veç po e gëzon “pjesën e vet”. Po e shfrytëzon mundësinë që të vetët të përfitojnë nga kompania, për të cilën zyrtarë partiakë thoshin se është në prag të falimentimit dhe do ta rimëkëmbnin.

Zyrtarë të AAK’së po arsyetohen se punësimet nga ta janë vetëm një pëqindje e vogël, krahasuar me ato të partive të tjera. Mirë, mund ta pranojmë se është kështu. Por, a nuk thoshin vetë zyrtarë të kësaj partie se kur të vijnë në pushtet nuk do të keqqeverisin si të tjerët? A nuk thoshin se “ka ardhë koha për AAK’në”?

* * *

Në përpjekje për t’i arsyetuar veprimet e veta, zyrtarë të AAK’së po thonë se janë në rregull me ligjin, se të vetët që janë rehatuar i kanë plotësuar kriteret e të tjera si këto. Kjo mund të jetë e vërtetë. Ashtu siç është e vëtetë se në të tilla raste kriteret e konkurseve iu përshtaten aq mirë kandidatëve që duan t’i rehatojnë, sa që në to mungojnë veç fotografia e emri i tyre.

Askush nuk po thotë se të afërmve të politikanëve duhet mohuar mundësia që të aplikojnë për punë. Po kërkohet vetëm që të gjithë të kenë mundësi të barabarta, që gjë nuk po ndodh. Po kërkohet që punësimet të jenë rezultat i meritokracisë, e jo i shërbimit ndaj partisë. E çuditshme se si të gjithë familjarët e të afërmit e tyre të punësuar po del të jenë më të përgatiturit, më të mirët, më të shkëlqyeshmit në intervistim.

Dhe, si pritet të reagojnë në të tilla raste mijëra e mijëra të rinj që kanë përfunduar shkolla e fakultete? Të marrin libreza partiake, në mënyrë që ta gjejnë një punë? Të bëhen shërbëtorë të turlifarë politikani, veç për një vend pune?

A ka hipokrizi e idiotësi më të madhe se t’i bësh thirrje të rinjve që të mos e braktisin Kosovën, ndërkohë që nuk bën asgjë për t’iu siguruar perspektivë në vendin e tyre? Përkundrazi, i ke mbushur institucionet plot familjarë e militantë dhe nuk ia di skajin pasurisë. Thirrja nuk është “mos ikni, se do t’ju krijojmë perspektivë”, por “mos ikni, të vazhdojmë t’ju poshtërojmë”.

E neveritshme.

* * *

Çfarë mund të bëhet në këtë situatë? Në një shtet normal, prokuroria do të duhej t’i niste hetimet, për të parë se si është e mundur që nëpër institrucione e kompani publike punësohen kryesisht njerëzit e njerëzve të pushtetit, të afërt me ta e militantë partiakë. Për të parë se si është e mundur që tenderët milionësh i marrin kompanitë e njerëzve të njerëzve të pushtetit, të afërmit me ta e militantët partiakë. Për të vërtetuar pasurimin e të pushtetshëmve nga paratë publike, për t’i nxjerrë në pah hajnitë e keqpërdorimet.

Por, do të duhej të kishte edhe një reagim të fortë qytetar. Nuk mjafton vetë shprehja e mllefit nëpër rrjete sociale. Sepse, me përpjekjet për t’i arsyetuar veprimet kriminale, ata po na fyejnë inteligjencën. Me përpjekjet për ta prezantuar të gjithën si situatë normale, ata po na poshtërojnë. Faj kemi vetë nëse poshtërimin e pranojmë.